Blloku Evropian përgatit paketë për pavarësi teknologjike ndaj SHBA-së
Komisioni Evropian ka paraqitur të mërkurën një plan ambicioz për të reduktuar varësinë e Evropës nga furnizuesit e jashtëm të teknologjisë, duke synuar një “sovranitet teknologjik” që të mundësojë konkurrencë me kompanitë amerikane. Sipas raportit të Politico-s, iniciativa e re e bazuar në strategjinë industriale, e nxitur nga përdorimi i armës politike nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për të manipuluar varësinë europiane nga firmat amerikane, synon të forcojë kapacitetet vendore dhe të krijojë një treg të brendshëm të teknologjisë së avancuar.
Paketë e propozuar do të kanalizojë fonde publike në produkte që kontribuojnë në ekonominë dhe pavarësinë europiane, do të lehtësojë procedurat për ndërtimin e qendrave të të dhënave, dhe do të përforcojë kërkimin dhe inovacionin përmes “inisiativave udhëheqëse”. Për më tepër, do të nxisë vendet anëtare të ndajnë kapacitetet digjitale në një forum të ri të quajtur “Eurocloud” dhe do të kërkojë strategji kombëtare për adoptimin e teknologjive më të reja, përfshirë inteligjencën artificiale. Një pjesë tjetër e paketës synon të rrisë kërkesën e bllokut për çipe të avancuara, duke përmirësuar ligjin e çipeve të vitit 2023 me iniciativa industriale të reja.
Sipas propozimit, çdo vend i BE-së do të duhet të kryejë një “vlerësim të rrezikut të sovranitetit” për çdo shërbim dixhital që përdor, duke matur kontrollin e huaj, mundësinë e aksesit në të dhëna të ndjeshme dhe rrezikun e ndërprerjes operative. Brenda një viti, do të përcaktohet niveli i mbrojtjes së nevojshme për secilin sektor publik dhe do të bëhen blerje të shërbimeve dixhitale në përputhje me këtë vlerësim, përveç rasteve kur kostoja do të jetë “jo proporcionale”. Komisioni mban të drejtën të anulojë vlerësimet kombëtare nëse konsideron se rreziqet janë nënvlerësuar. Ursula von der Leyen, kryetare e Komisionit, theksoi se “nuk mund të lejojmë varësinë nga teknologjitë që mbajnë spitalet tona, rrjetet energjetike dhe shërbimet tona të sigurt”. Ajo shtoi se masa synon “të mbrojë qytetarët tanë, të mbrojë interesat tona dhe të na japë mundësinë të zgjedhim vetë”.
